Çfare te vizitoni ne Pogradec

Pogradeci ka një muze të pasur me deshmi antikiteti dhe të kohës së luftës, ka kishën e vjetër ortodokse, që quhet kisha e Shën Mërisë dhe ndodhet në lagjen e vjetër të Pogradecit, si dhe një kishë të re, më arkitekturë shumë të vecante të quajtur Ringjallja. Qyteti gjithashtu ka dy xhami. Njera ndodhet në qendër të qytetit dhe tjetra në lagjen e quajtur Goricë. Katër kilometër në lindje të Pogradecit ndodhet pika turistike të Drilonit.

Kalaja e Pogradecit është e vendosur në majën e kodrës, në pjesën perëndimore të qytetit të Pogradecit, me lartësi 205 m mbi nivelin e liqenit të Ohrit. Ka filluar të banohej që në shekullin V para Krishtit, ndërsa në shekullin IV para Krishtit u pajis me mure mbrojtëse. Ka pasur një vjetërsi banimi prej 1400 vjetësh, duke qenë një kala iliro-shqiptare e hershme..

Liqeni i Pogradecit. I krijuar rreth 2 milion vjet më parë nga mbushja me ujë e gropës tektonike, Liqeni i Ohrit është i dyti për nga madhësia në Shqipëri pas atij të Shkodrës. I ndodhur në lartësinë 695 m, ai ka një sipërfaqe prej 365 km2 nga të cilat Shqipërisë i përkasin vetëm 111.4 km2 . Gjithashtu ai është edhe liqeni më i thellë në gadishullin e Ballkanit me thellësi 287 m. Baseni i tij dallohet për tejdukshmërinë e ujërave në të cilën rritet një florë dhe një faunë e pasur. Pastërtia e ujit është një tjetër karakteristikë e liqenit të Ohrit. Kjo vjen se ai furnizohet me ujë nga burimet karstike të Shën Naumit, Drilonit dhe Tushemishtit, si dhe nëpërmjet kanaleve nëntokësore nga liqeni i Prespës së madhe. Por liqeni Ohrit është liqen me derdhje, pasi prej tij, në Strugë buron Drini i Bardhë, 172 km i gjatë, një nga degët e lumit Drin. Përgjatë bregut të tij janë vendosur qyteti i Pogradecit dhe fshatrat e Linit, Hudenishtit, Memëlishtit dhe Tushemishtit, në të cilat është zhvilluar edhe peshkimi i Koranit dhe Belushkës, dy peshqve më të njohur nga 17 llojet që rriten në të. Për vlerat e shumta që bart liqeni i Ohrit është shpallur pasuri e Unesco-s.

Driloni. Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, është një nga mrekullitë që natyra ka krijuar këtu. Ai ndodhet 5 km në lindje të Pogradecit, fare pranë fshatit turistik të Tushemishtit. Driloni është një burim karstik që përbëhet nga tre vija uji që rrjedhin për tu derdhur disa dhjetra metra më tej, në bregun jug-lindor të liqenit. Njëri prej tyre, ai më kryesori krijon një basen të madh ujor, ku mund të shëtitësh, vozitësh me varkë, të shijosh bukuritë e florës dhe faunës së pasur. Pemët e vërrisë, rrapit, plepit, shegjeve lotues apo kallamishtet e bëjnë më të freskët dhe më të pastër ajrin që thith. Ndërsa lokalet, urat e drunjta, mjelmat dhe shpendët e tjerë që gjallojnë, si dhe peshku i freskët dhe vera e kuqe që serviret në lokalet këtu pranë, të bëjnë që të shkrihesh me natyrën.

Tushemishti. Tushemishti është një tjetër vend i preferuar nga turistët. Ai përmendet qysh në shekullin e IX kur Shën Naumi, një shenjt lokal, manastiri i të cilit ndodhet disa kilometra aty pranë, vizitoi fshatin dhe bekoi lopët e tij. Ndërkohë që sot Tushemishti nuk është i përmendur vetëm për prodhimet e bulmetit, por edhe për kultivimin e koranit, pemët frutore dhe të turizmit i cili vitet e fundit ka marrë zhvillim të madh. Ndërsa rrugët, shtëpitë dhe ambientet e tjera të tij janë përjetësuar dikur nga skenat e filmave të njohur shqiptarë ‘’Zonja nga Qyteti’’ dhe ‘’Shoqja nga Fshati’’, të cilët janë xhiruar këtu. Pikërisht për të përjetuar këtë fakt sot ruhet shtëpia e personazhit kryesor të këtyre kryeveprave kinematografike, Ollgës, busti i të cilës është vendosur në sheshin qendror të Tushemishtit, i cili tashmë quhet sheshi “Ollga”.

Lini. Gadishulli i Linit është i pari që të shfaqet me bukuritë e tij sapo nis dhe zbret Qafën e Thanës, e cila ndan fushëgropën e Prrenjasit me fushëgropën e Pogradecit. Nga lart, Lini, duket si një shputë dore që futet në liqen. Arkeologët kanë dokumentuar se ky gadishull shkëmbor është banuar qysh në periudhën e hekurit. Fshati është vendosur në anën perëndimore të tij dhe përbën një simbiozë të çuditshme midis njerëzve dhe natyrës.

TRIP ADVISOR

VENDNDODHJA
MEDIA SOCIALE